Skip to content Skip to footer

Shërbimet e CIP dhe ISBN

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka vendosur që të gjitha informacionet dhe kërkesat për shërbimet e CIP-it dhe ISBN-së të adresohen dhe të pajisen vetëm përmes e-mail adresës: cip.isbn.bkk@gmail.com.
Gjithashtu, CIP-i paraqitet në një format të ri, si rrjedhojë e disa ndryshimeve brenda BKK-së.

 

P.S.: Sipas Ligjit për Veprimtari Botuese dhe Librin: “Çdo botues privat dhe institucione publike që boton publikime në Kosovë që i dedikohen përdorimit publik, detyrohet që pesë kopje të çdo publikimi t’ia dërgojë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,në afat prej 30 ditësh nga dita e botimit.

Agjencia Kombëtare e ISBN -së

Sistemi i ISBN-së (Numri Standard Ndërkombëtar i Librit) në nivel ndërkombëtar ka filluar të funksionojë në fillim të vitit 1970. Ky sistem është zhvilluar dhe vijon të zhvillohet, të ruhet dhe të koordinohet vite me radhë nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së (https://www.isbn-international.org).

Selia e Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së për disa dekada ka qenë e vendosur në Berlin. Nga viti 2006 kjo agjenci ka ndërruar vend dhe është vendosur në Londër. Tani rreth 160 vende të botës janë të integruara në mënyrë aktive në sistemin e ISBN-së, mes tyre vendeve, që nga viti 2001, gjendet edhe Kosova.

Sistemi i ISBN-së u zhvillua në kohën kur kompjuterët u bënë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në botë. Një numër i tillë ndërkombëtar ishte zgjidhje ideale në kohën e kompjuterizimit. Kështu, për nevoja të ndryshme në procesin e qarkullimit të librit, në vend që të bëhen përshkrime të gjata bibliografike, është i mjaftueshëm numri me vetëm disa shifra.
Agjencia Kombëtare e ISBN-së funksionon brenda Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ajo përkrah në mënyrë të vazhdueshme botuesit e Kosovës për integrimin e tyre në sistemin e ISBN-së dhe pajisjen e botimeve të tyre me këtë numër.

Agjencia Kombëtare e ISBN-së:

  • Përkrah pjesëmarrjen në sistemin e ISBN-së në vend;
  • Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me botuesit;
  • Alokon identifikuesit për botues dhe mban regjistrin e botuesve dhe identifikuesve të tyre;
  • Informon botuesit për implementimin e sistemit në mënyrë korrekte dhe të përshtatshme;
  • Siguron materiale dhe burime të cilat ndihmojnë në implementimin korrekt të ISBN-së;
  • Informon botuesit për gabimet në përdorimin e ISBN-së;
  • Mban relacione me Agjencinë Ndërkombëtare të ISBN-së në interes të botuesve të vendit;
  • Raporton rregullisht pranë Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së.

Agjencia Kombëtare e ISMN -së

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka krijuar Agjencinë Kombëtare të ISMN-së për Kosovë, e cila funksionon që prej vitit 2003. Agjencia Kombëtare e ISMN-së është anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare të ISMN-së:http://www.ismn-international.org/international.html, me seli në Berlin.
ISMN-ja është krijuar për të identifikuar veprat muzikore, ndryshe nga ISBN që mundëson identifikimin e librave dhe materialeve të ngjashme. Duke qenë standard i pranuar ndërkombëtar në ISO (ISO 10957), ISMN-ja përdoret në shumë shtete të botës për të bërë të mundur identifikimin, tregtimin dhe shkëmbimin e veprave muzikore dhe pjesëve të tyre në mënyrë efikase.

Nga një numër 10 shifror, ISMN-ja është shndërruar në numër 13 shifror nga viti 2007. Veprat muzikore në Kosovë, të cilat marrin ISMN, të vëna nga Agjencia Kombëtare e ISMN-së me seli në BKUK, identifikohen me serinë 801950 – 801969. Një numër i plotë i ISMN-së përbëhet nga disa elemente:
Iniciali ISMN, i cili i shtohet numrit të ISMN-së për qëllim dallimi nga ISBN-ja, apo standardet e tjera;

  1. Kodi ndërkombëtar ‘979’;
  2. Kodi ‘0’, i cili zëvendëson shkronjën ‘M’, që është përdorur më herët në ISMN-në dhjetëshifrore;
  3. Numri bazë i serisë, p.sh. ‘801950’;
  4. Numri i identifikimit të njësisë ‘01’, dhe;
  5. Shifra e kontrollit, p.sh. ‘7’, e cila tregon validitetin e ISMN-së.

Duke i bashkuar të gjitha këto elemente të përmendura, fitojmë një ISMN të plotë valide 13-shifrore:

ISMN 979-0-801950-01-7