Skip to content Skip to footer

HISTORIKU I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, institucion i rëndësishëm kulturor dhe edukativ, u themelua më 25 nëntor 1944 në qytetin e Prizrenit. Ky hap shënoi një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe intelektuale të Kosovës. Dy vjet më vonë, në vitin 1946, biblioteka u transferua në Prishtinë, ku vazhdoi të zhvillohej dhe të përparonte si një qendër kryesore e informacionit dhe e njohurive.

Në historinë e saj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës kaloi përmes ndryshimeve të mëdha, përfshirë ndryshime në emër, mision dhe vizion. Këto ndryshime ishin të nevojshme për t’u përshtatur me zhvillimet e reja kulturore dhe shoqërore të Kosovës, dhe për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe edukimit në përputhje me kërkesat e kohës.

Ky institucion qendror i bibliotekarisë, që ka kaluar nëpër faza sfiduese të zhvillimit – të lidhura me fatin dhe historinë e Kosovës, është i njohur me emra të ndryshëm gjatë viteve, si: Biblioteka Krahinore (1944-1952), Qendra Bibliotekare e KAKM-së (1956-1961), Biblioteka Popullore Krahinore (1961-1970), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës e Metohisë (1990 – 1999), Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (1999-2014), ndërsa nga viti 2014, njihet me emrin Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në historinë e bibliotekës ka qenë ndërtimi i një objekti të ri dhe modern, i cili është bërë një simbol i krenarisë kombëtare dhe qytetare. Ky objekt, me një model mahnitës arkitekturor, u projektua nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković, i cili është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës moderne, me stilin e ‘regjionalizmit të ri’. Arkitektura e bibliotekës është karakterizuar nga një kombinim unik i kubeve dhe kupolave, që i japin ndërtesës një pamje të veçantë dhe tërheqëse. Në tërësinë e saj arkitektonike, bibliotekën e veçojnë gjithsej 72 kupola, edhe pse qëndron një mit se Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka 99 të tilla, të ndara me segmente që i përngjajnë trurit, dhe simbolikisht paraqesin dijen dhe zhvillimin intelektual.

Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës fillon punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti bëhet më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.

Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe me një sipërfaqe totale prej 16,500 m², nga të cilat 13,500 m² janë sipërfaqe të shfrytëzueshme. Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave, siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës.

Në aspektin e funksionalitetit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është e organizuar sipas standardeve më të fundit të bibliotekave bashkëkohore. Ajo ofron një gamë të gjerë shërbimesh dhe hapësirash për përdoruesit, duke përfshirë salla të leximit të ndara në kate. Kati i parë ka dy salla të mëdha për 400 lexues, kati i dytë ofron sallën e periodikut, ndërsa kati i tretë ëshi dedikuar për përdoruesit shkencorë dhe hulumtuesit. Depoja e librit ndodhet në dy katet nëntokësore, duke siguruar një sistem të efektshëm të ruajtjes dhe menaxhimit të fondeve.

Biblioteka gjithashtu ka dy amfiteatro për organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve kulturore, një me 150 + 40 ulëse dhe një tjetër me 75 ulëse. Ndërsa transporti i librave është i mekanizuar dhe hapësirat e skedarëve janë të pozicionuara në afërsi me të gjitha sallat e leximit, duke e bërë bibliotekën një qendër efikase dhe të mirë-organizuar.

Nga viti 2008 (me shpalljen e pavarësisë së vendit), është Biblioteka Kombëtare e Republikës së Kosovës, që ruan kujtesën dhe trashëgiminë kombëtare të Kosovës, depozituese ligjore që merr kopje të të gjitha materialeve të shtypura në Kosovë dhe kontribuon në sigurimin e qasjes në universin më të madh të njohurive të regjistruara. Është bibliotekë me rreth 2.5 milionë njësi dhe rreth 1300 vëllime të vjetra dorëshkrimore.

Në vitin 2023, pas një procesi të rëndësishëm të vlerësimit dhe mbrojtjes, objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u vendos në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme më 26 qershor. Ky status i veçantë është një njohje e rëndësishme për rëndësinë kulturore dhe historike të këtij objekti dhe përkushtimin për ruajtjen e tij për brezat e ardhshëm.

Biblioteka Kombëtare ka edhe Shërbimin e Restaurimit dhe të Konservimit, bibliotekat Legatë, Bibliotekën Muzikore, Bibliotekën digjitale dhe Qendrën e digjitalizimit më të avancuar në vend dhe rajon, Këndin Amerikan, Bibliotekën për të Verbër, dhe Qendrën e Internetit për Përdorues.

Në përfundim, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është qendër metodike në nivel të vendit për zbatimin e standardeve dhe të rekomandimeve të institucioneve dhe asociacioneve përkatëse ndërkombëtare në veprimtarinë bibliotekare dhe të informacionit bibliotekar dhe, gjithashtu, përgjegjëse për mbikëqyrje profesionale ndaj të gjitha llojeve të bibliotekave tëinstitucioneve publike të Kosovës.